Punimet për hekurudhën Tiranë-Durrës, nis vendosja e rrjetave mbrojtëse në zonat e banuara
Punimet në linjën hekurudhore Tiranë-Durrës dhe zgjatimin drejt Rinasit vijojnë me ritme të ndryshme, ndërsa ka nisur instalimi i rrjetave mbrojtëse në segmentet që kalojnë pranë zonave të banuara.
Rrjeta mbrojtëse në segmentet urbane
Gjatë kësaj jave ka nisur vendosja e rrjetave mbrojtëse në disa zona të banuara në kryeqytet, pjesë e projektit për hekurudhën Tiranë-Durrës dhe zgjatimin drejt Rinasit. Vëzhgimet nga terreni tregojnë se kompania që po zbaton punimet ka filluar instalimin e tyre në disa pika të trasesë.
Ndërhyrjet aktuale i përkasin zonës së kryqëzimit që lidh rrugën “Coca-Cola” me kalimin drejt Laknasit. Ky segment është një kalim në nivel, pa barriera fizike, ku rruga ndërpritet nga linja hekurudhore dhe sinjalizohet me Kryqin e Shën Andreas. Sipas projektit, pjesa më e madhe e trasesë që kalon pranë qendrave të banuara do të izolohet me rrjeta dhe kangjella, me qëllim parandalimin e kalimeve të paligjshme nga këmbësorë apo kafshë dhe garantimin e sigurisë për trenat që do të lëvizin me shpejtësi të lartë.
Afatet dhe modeli i operimit
Punimet për këtë linjë kanë nisur në vitin 2021 nga kompania italiane INC S.p.a dhe nënkontraktorët e saj. Afatet për përfundimin e projektit kanë pësuar ndryshime në kohë, ndërsa sipas deklaratave të përfaqësuesve të qeverisë dhe drejtuesve të Hekurudhës Shqiptare, operimi i plotë pritet të nisë në fillim të vitit 2027.
Më herët, Hekurudha Shqiptare zhvilloi një “market teaser” për të tërhequr interesin e operatorëve potencialë për furnizimin me njësi hekurudhore, përfshirë edhe njësi të përdorura. Në të njëjtën kohë është bërë me dije se operimi i trenave të pasagjerëve pritet të realizohet përmes një modeli koncesioni, ku shërbimi do të ofrohet nga një operator privat me eksperiencë në këtë fushë.
Financimi dhe parametrat teknikë
Projekti fillimisht u financua me një kredi prej rreth 70 milionë euro nga BERZH. Në fillim të këtij viti, qeveria kërkoi një shtesë prej 40 milionë euro për të përfunduar punimet, duke argumentuar se rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit ka shtuar ndjeshëm koston totale. Një pjesë e fondit shtesë do të përdoret për ndërtimin e stacioneve.
Hekurudha Tiranë-Durrës me zgjatimin drejt Rinasit ka një gjatësi totale prej 39 kilometrash. Linja do të jetë e elektrifikuar, ndërsa trenat parashikohet të përshkojnë distancën Tiranë-Durrës për 22 minuta. Në total do të ndërtohen 11 stacione përgjatë gjithë linjës.